
Hapi i parë dhe më i rëndësishëm i çdo ndërhyrjeje kirurgjikale është konsulta me pacientin. Fatkeqësisht, kjo është një fazë që shumë klinika dentare e neglizhojnë, ndërkohë që për ne përbën prioritetin kryesor.
Gjatë konsultës është thelbësore të dëgjohet me kujdes historiku i pacientit dhe të kryhet një anamnezë e detajuar. Në këtë fazë mblidhen të gjitha informacionet mbi gjendjen shëndetësore, sëmundjet sistemike, medikamentet që përdor pacienti, alergjitë, ndërhyrjet e mëparshme dhe çdo faktor tjetër që mund të ndikojë në trajtimin kirurgjikal. Një anamnezë e plotë na mundëson të planifikojmë ndërhyrjen në mënyrë të sigurt dhe të personalizuar për çdo pacient.
Pas përfundimit të anamnezës, vazhdohet me ekzaminimin radiologjik. Në Dental Health përdorim teknologjinë CBCT (Cone Beam Computed Tomography), e cila na mundëson një analizë tridimensionale të strukturave anatomike dhe një planifikim kirurgjikal me saktësi të lartë.
Shumica e pacientëve tanë vijnë nga Italia, ndërsa procedurat që realizojmë më shpesh përfshijnë rehabilitimet e plota me All-on-4 dhe All-on-6, ngritjen e sinusit (Sinus Lift), implantet dentare, si dhe implantet pterigoide dhe zigomatike, të cilat përdoren në raste më komplekse të mungesës së kockës.
Një element që e dallon Dental Health është se asnjë ndërhyrje kirurgjikale nuk kryhet pa praninë e një mjeku anestezist-reanimator. Të gjitha ndërhyrjet realizohen me sedacion koshient, i cili nuk shërben vetëm për të rritur rehatinë dhe qetësinë e pacientit gjatë procedurës, por edhe për të garantuar sigurinë maksimale në rast të çdo komplikacioni të mundshëm. Çdo pacient monitorohet vazhdimisht nga mjeku anestezist gjatë gjithë ndërhyrjes.
Pas përgatitjes së pacientit, procedura kirurgjikale realizohet nga Dr. Shukri Jahiu, kirurg oral me mbi 20 vite përvojë në fushën e stomatologjisë dhe implantologjisë.
Brenda 24 orëve nga ndërhyrja realizohen dhe vendosen dhëmbët provizorë, duke i mundësuar pacientit të rikthejë funksionin dhe estetikën në një kohë shumë të shkurtër. Ky është një shërbim që Dental Health e ofron tërësisht brenda klinikës, falë laboratorit dentar të integruar në ambientet e saj. Kjo mundëson komunikim të drejtpërdrejtë ndërmjet kirurgut dhe teknikut dentar, kontroll më të mirë të cilësisë dhe një kohë shumë më të shpejtë realizimi të punimeve protetike.



